Në Qendrën e Ndërmarrjeve Sociale, në 27 maj u mbajt takim për mbështetje të ndërmarrjeve sociale nga shteti dhe bashkësia e donatorëve. Në këtë takim morën pjesë Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska bashkë me ambasadorin e BE-së, Dejvid Gir, ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës Hose Luis Lozano Garsia, përfaqësues të ambasadave të Republikës së Polonisë dhe Bullgarisë dhe përfaqësues nga ambasadat, organizatat ndërkombëtare dhe të vendit që mbështesin zhvillimin e sipërmarrësisë sociale në Maqedoninë e Veriut.
Fokusi kryesor në këtë takim ishte procesi i zhvillimit të mjeteve sociale financiare dhe mundësive për financim që iu përshtaten nevojave të ndërmarrjeve sociale, pra zhvillimit të programeve për përgatitje të ndërmarrjeve sociale për investime.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska theksoi që ndërmarrjet sociale krijojnë mundësi të barabarta dhe shoqëri të barabartë, kontribuojnë për zhvillimin ekologjik dhe ekonomik dhe për ulje të varfërisë tek kategoritë më të ndjeshme. Ajo informoi që në vjeshtë do të përgatitet raporti i parë i Strategjisë Nacionale për Ndërmarrjet Sociale dhe Plani i Veprimit.
„Strategjia Nacionale për Ndërmarrjet Sociale që u miratua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut vendos bazat dhe shtyllat themelore për zhvillim të ndërmarrjeve sociale, njohjen e tyre në shoqëri dhe masat për qëndrueshmërinë e tyre. Strategjia Nacionale për Ndërmarrjet Sociale përbën plan të një eko-sistemi që ne si Ministri e Punës dhe Politikës Sociale po e ndërtojmë bashkë me të gjitha palët relevante dhe bashkësinë e donatorëve, sektorin civil dhe institucionet brenda Qeverisë. Zbatimi i kësaj strategjie plotësohet me mekanizmin nacional për kontroll të zbatimit. Në vjeshtë do të përgatitet raporti i parë i strategjisë dhe plani i veprimit. Fokusi që kanë ndërmarrjet sociale, përveç aktiviteteve ekonomike dhe krijimit të shërbimeve adekuate është që të krijojnë produkte shoqërore dhe të sigurojnë përfshirje të forcimit socio-ekonomik të individëve dhe familjeve të tyre, duke ruajtur dinjitetin dhe duke respektuar pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje, në ndarjen e fitimit dhe në zbatimin e misionit shoqëror “ tha ministrja Trençevska.
Ajo theksoi që MPPS si institucioni që krijon dhe gjeneron politikat sociale bashkë me sipërmarrësit socialë ka dëshmuar që nuk ka procese të lehta dhe të vështira, por vetëm ekzistencë apo mungesë të vullnetit të mirë. Projekti aktual për zhvillim të ndërmarrjeve sociale, financuar nga Bashkimi Evropian, që zbatohet në bashkëpunim me MPPS ofron mbështetje për krijim të strukturës, ligjeve, promovimit dhe mundësive për mbështetje financiare të ndërmarrjeve sociale.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Dejvid Gir falenderoi Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe çdo palë aktive për inicimin e një diskutimi të këtillë, duke thënë që vetëm me punë të përbashkët mund të arrihen rezultate të vërteta.
Gir theksoi që ndërmarrjet sociale janë kompani të vërteta, plotësisht të qëndrueshme, që punësojnë persona që përndryshe do të ishin të papunë, pa para, madje edhe pa të ardhme.
„Jam i lumtur që Maqedonia e Veriut punon drejt zhvillimit të sipërmarrësisë sociale, kurse delegacioni i BE-së do të vazhdojë të mbështesë këtë proces dhe të ndihmojë Qeverinë në përgatitje të strategjisë nacionale për zhvillim të sipërmarrësisë së këtillë “ shtoi ambasadori Gir.
Për fund, në këtë ngjarje u prezantua filmi dokumentar ,,Barka-Burim jete’’, që flet për entuziazmin për sipërmarrësinë sociale si model real dhe të mundshëm të ekonomisë solidare që ndryshon fate jetësh dhe që kthen buzëqeshjen, lumturinë dhe vetë-besimin.
Këtë film dokumentar mund ta shihni në kanalin tonë në Youtube në këtë vegëzë https://youtu.be/2aSvt3q99dU.