Mediet luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes publike mbi sipërmarrësinë sociale. Me idenë për të informuar dhe frymëzuar që të ndjekin me kujdes zhvillimin e sipërmarrësisë sociale në vend, në 8 qershor 2022, në Qendrën për Mbështetje të Ndërmarrjeve Sociale u mbajt punëtoria për gazetarët që u udhëhoq nga ekspertja jonë për komunikim, Ratka Pemova dhe udhëheqësja e ekipit Barbara Sadovska.
Në këtë punëtori, ku morën pjesë dhjetë gazetarë, u diskutua për aspektet e ndryshme të sipërmarrësisë sociale.
Gazetarët u informuan mbi nivelin e zhvillimit të ekonomisë sociale në BE, si dhe mbi gjendjen në vend, si për shembull për aprovimin e Strategjisë Nacionale për Zhvillim të Ndërmarrjeve Sociale që përkufizon qëllimet dhe aktivitetet për periudhën 2021-2024, procesin e hartimit të Ligjit për ndërmarrjet sociale që do të përkufizojë kriteret e nevojshme për regjistrim të ndërmarrjeve sociale, por edhe do të mundësojë kredibilitet dhe interes më të madh për ndërmarrjet sociale si modele start-up-esh, ffrues të shërbimeve dhe si mundësi investimi.
Gazetarët poashtu morën informacione lidhur me rolin që ndërmarrjet sociale kanë në uljen e varfërisë dhe papunësisë, dhe mundësitë për të plotësuar tregun e punës në ekonomitë ku mungojnë kuadrot e reja që vazhdimisht po largohen nga vendlindja. Ndërmarrjet sociale kanë për qëllim të ofrojnë zgjidhje për problemet ekzistuese sociale. Shtrirja potenciale e aktiviteteve të ndërmarrjeve sociale është e gjerë dhe përfshin spektër të shumëllojshëm të çështjeve ekonomike, shoqërore dhe ekologjike.