Organizata humanitare Operation Mercy (Mëshira) është themeluar nga një person me prejardhje nga Australia që ka punuar me grupe të margjinalizuara në shumë vende të botës.
Mëshira ka dy projekte – njëri është Hope and Health (shpresë dhe shëndet) që ka për qëllim t’iu vijë në ndihmë personave me probleme shëndetësore, dhe tjetri me të cilin ndërtohen kapacitetet e grave në drejtim të krijimit të bizneseve personale. Bëhet fjalë për aktivitete që kanë fokusin tek gratë të cilat për shkaqe të ndryshme nuk kanë pasur mundësinë të vazhdojnë shkollimin apo të bëhen pjesë e tregut të punës, prandaj iu ofrohet mundësia për të fituar aftësi në mënyrë që të mund të hapin bizneset e tyre në të ardhmen.
Kjo përbën një sipërmarrësi sociale pak më ndryshe – ku jo vetë organizata, por ata që trajnohen kanë aktivitete ekonomike si për shembull parukieri, sallon për makiazh, sallon për qepje apo gatim të ëmbëlsirave duke krijuar kështu ndërmarrje sociale. Antonie Nedanovska që menaxhon me këtë projekt thotë që deri tani janë trajnuar rreth 50 gra, pjesa më e madhe nga vendbanimet Çair, Gazi Babë, Shutkë, Topanë…
Kjo përbën një sipërmarrësi sociale pak më ndryshe – ku jo vetë organizata, por ata që trajnohen kanë aktivitete ekonomike
„Disa nga gratë që kemi trajnuar nuk kanë mbaruar as shkollën fillore, disa nga to janë nëna të vetme, apo kanë bashëkshortët e sëmurë, apo u ka vdekur bashkëshorti, apo kanë kaluar trauma të caktuara – nuk u është dhënë mundësia të mbarojnë shkollën apo të fitojnë ndonjë aftësi. Por tani ato mësojnë një zanat dhe mund të hapin biznes vetë apo në bashkëpunim me dikë tjetër. Shpesh ato shoqërohen me njëra tjetrën gjatë këtij procesi dhe kështu vendosin të punojnë bashkë. Tashmë ka një grua që ka hapur parukeri, njëra nga hapur ëmbëltore, dhe presim që këtë ta bëjnë edhe të tjerat. Ne u ndihmojmë edhe në këtë pjesë – i lidhim njëra me tjetrën, japim mbështetje morale, i mbështesim në aftësi të ndryshme komunikimi… Gratë janë pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë. Unë e them shpesh: një grua e shëndoshë, bashkëshorte e shëndoshë – shoqëri e shëndoshë.“ thekson Antonie Nedanovska.
Aktivitetet e radhës përfshijnë aktivitete që fokusin e kanë tek meshkujt, thotë Antonie, për shembull me aftësi parukerie, duke theksuar edhe punën me institucionet, kryesisht me komunat, me shkollat lokale por edhe me Agjencinë e Punësimeve ku organizojnë trajnime.